Kristian Kivu është paraqitur në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes kundër Kaljarit. Trajneri i Interit ka dhënë shpjegime për batutën e bërë pak ditë më parë në lidhje me kolegët e tij. Ai u pyet në lidhje me titullin kampion, por u përgjigj se do të sillej njësoj si homologët e tij, të cilët shmangin çështjen e titullit dhe flasin vetëm për kualifikimin në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
Kivu ka sqaruar për gazetarët kjo ishte një ironi e përdorur prej tij, e cila më pas u keqkuptua. Sa i përket zërave për një rënie të nivelit të Serisë A, trajneri i Interit tha se është e lehtë për njerëzit të ndryshojnë mendimin e tyre për nivelin e ligave sa herë që ka ndryshime në renditjen e skuadrave.
“Nëse nuk e kuptojmë ironinë, më mirë të kalojmë te diçka tjetër. Në këtë botë, shumë gjëra merren shumë seriozisht ose trajtohen sipërfaqësisht dhe rrëfehen gabim. E imja ishte një shaka, me një dozë të vërtete. Gjithmonë kemi folur për kualifikimin në Ligën e Kampionëve, kështu që thashë edhe disa gjëra. Nuk shpika asgjë dhe fola me një buzëqeshje në fytyrë.
Disa njerëz e morën keq, por nevojitet edhe pak ironi. Futbolli nuk është jetë, është thjesht një lojë dhe duhet trajtuar si e tillë. Ka ekipe që kanë qëndrimin e duhur, atë që i lejon të shkojnë deri në fund dhe të fitojnë, por vetëm një ia del mbanë. Dhe le të mos e marrim shumë keq nëse ekipi ose miku ynë i preferuar nuk ia del, por le t’i lavdërojmë ata që arrijnë të japin gjithçka.
Rënia e vlerës së Serisë A? Është shumë e lehtë të ndryshosh mënyrën e të menduarit bazuar në renditje. Disa muaj më parë, të gjitha ishin konkurruese, por pastaj, varësisht nga renditja, bëhet tërheqëse ose mediokre. Ky nuk është problemi ynë. Do të doja të isha mediokër dhe në krye të tabelës për pjesën tjetër të jetës sime, sepse më jep sigurinë e një pune të bërë mirë dhe të një klubi që më mbështet. Është shumë e lehtë të renditësh ligat bazuar në zhgënjim”, ka deklaruar Kristian Kivu./Sport Ekspres/