Ndarja e trishtë nga jeta e Artan Pogonit, Armand Duka: E vështirë ta besoj, humbje e madhe për sportin shqiptar

Një lajm i trishtë ishte ai i ditës së sotme kur u njoftua për ndarjen nga jeta të Artan Pogonit. Një njeriu që i dha kaq shumë sportit shqiptar, vecanërisht në volejboll dhe u nda nga jeta shumë herët. Një reagim për këtë ngjarje e dha edhe presidenti i FSHF, Armand Duka, i cili shprehu gjithë trishtimin mbi lajmin e trishtë dhe i uroi ngushëllime familjes.

“Është e vështirë ta besosh lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Artan Pogonit. Një humbje e madhe për sportin shqiptar dhe për të gjithë ata që e njohën nga afër.

Artani ia kushtoi jetën sportit, duke lënë gjurmë si sportist, trajner, pedagog, drejtues dhe komentator. Me profesionalizmin, pasionin dhe përkushtimin e tij, ai kontribuoi në zhvillimin e volejbollit dhe në edukimin e brezave të rinj, duke fituar respektin e të gjithë komunitetit sportiv.

Trashëgimia që lë pas do të mbetet një shembull frymëzimi për shumë të rinj që zgjedhin sportin si rrugën e tyre.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë komunitetit të sportit shqiptar. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij”, shkruan Duka. /Sport Ekspres/