Një gabim i rëndë në organizim, Real Madridi ankohet direkt te FIFA: Mbërritëm në 5 të mesnatës nga udhëtimi, duhej të ishim në hotel

Real Madridi kaloi më tej në Kupën e Botës për Klube në Amerikë, por pas fitores së tyre ndaj Red Bull Salzburg 3-0, klubi mbretëror kontaktoi FIFA-n për t’i kritikuar ashpër për atë që ndodhi mbrëmë.
Mbretërit prisnin që vetëm një ditë pas ndeshjes kundër Salzburgut, të udhëtonin për në Palm Beach, ku do të akomodoheshin deri në ndeshjen kundër Juventusit, e cila luhet në stadiumin Hard Rock në Miami.

Megjithatë, Real Madridi u trondit kur dëgjuan se do të udhëtonin për në Florida menjëherë pas ndeshjes kundër Salzburgut dhe se e gjithë kjo do të zgjaste pothuajse gjithë natën.
Pas darkës së bashku, në vend që të shkonin në hotel, lojtarët e Real Madridit duhej të shkonin në aeroportin e Filadelfias sepse kishin një fluturim të planifikuar pas mesnatës, dhe klubi mbretëror nuk e priti me entuziazëm një orar të tillë.

Mediat spanjolle thonë se Reali kontaktoi menjëherë FIFA-n, e cila është organizatorja e këtij kompeticioni, për të kritikuar një orar të tillë që shkakton lodhje shtesë tek lojtarët.
Në vend që lojtarët të pushonin dhe të flinin pas ndeshjes, ata shkuan pothuajse menjëherë në aeroport dhe nuk mbërritën në Palm Beach deri pak pas orës pesë të mëngjesit të sotëm. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/