Eros Grezda ishte një prej afrimeve me bujë që bëri Partizani, por në fund ish-lojtari i Shqipërisë nuk arriti që të tregonte vlerat e tij. Në një intervistë për “Tribalfootball”, Grezda tregon se kur erdhi tek të kuqtë, nuk kishe asnjë ide rreth ekipeve dhe futbollit në Shqipëri.
“Po të jem i sinqertë kur vendosa të vij në Shqipëri për të luajtur për Partizanin, nuk kisha asnjë ide për nivelin e ligës shqiptare apo skuadrat këtu. Por gjatë këtyre muajve kam vënë re se niveli i kampionatit këtu është i mirë, na duhet vetëm më shumë në aspektin infrastrukturor. Për shembull, te Partizani janë shumë mirë në këtë aspekt. Nëse skuadrat e tjera mund të ndiqnin shembullin e Partizani dhe të bënin këtë lloj investimi do të ngrinte nivelin e kampionatit tonë”, tha Grezda. /Sport Ekspres/