“Objektivi ynë është të jemi në 4 më të mirët”, Xhaferri pas fitores së thellë: Kjo ishte dhurata e Vllaznisë

“Objektivi ynë është të jemi në 4 më të mirët”, Xhaferri pas fitores së thellë: Kjo ishte dhurata e Vllaznisë

Qatip Osmani po kthen Vllazninë e vërtetë! Shkodranët kanë dhuruar spektakël dhe një fitore të thellë kundër Skënderbeut në shifrat 5-0. Heroi i vërtetë i takimit ishte Gruda, i cili arriti të shënonte një tripletë dhe padyshim që këtë ndeshje do ta mbajë mend gjatë në kujtesë. Nga ana tjetër, Bekim Balaj ka shënuar një gol ku pas një sprinti të madh të Malës, i gjendur me portën bosh, nuk ka gabuar.

Goli i fundit u shënua si një dhuratë nga Frashëri, me lojtarin e Skënderbeut që dërgoi topin në portën e tij për ta mbyllur në shifrat 5-0. Nga ana tjetër, Teuta-Dinamo u mbyll mes dramës në 1-2. Lorenzo Vila shënoi golin e parë, Daci ktheu baraspeshën dhe më pas ishte sërish Vila që i dha avantazhin Dinamos. Në fund, Realdo Fili shënoi një gol të mrekullueshëm për të barazuar rezultatin, por goli i tij do të anulohej pasi një prej shokëve të skuadrës ndërhyri në atë aksion dhe vinte nga pozicioni jashtë loje. Pas përfundimit të ndeshjeve, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Xhaferri (Vllaznia): “Kemi pasur një start jo të mirë, një start të keq madje. Kemi bërë disa ndryshime, që siç shihen kanë rezultuar me efikasitet. Djemtë sot treguan karakter. Shpresoj të ecim në këtë rrugë dhe Vllaznia të jetë brenda objektivave, të jetë në 4-she. Egnatia dhe Partizani kanë pasur një shkëputje, por duke parë ecurinë e ekipit mendoj që gjithçka është e hapur. Kjo e sotmja ishte një dhuratë që bëri Vllaznia. Dua të uroj edhe ‘Vllaznit Ultras’, që fesojnë 18-vjetorin”.

Martini (Teuta): “Ne nuk e humbëm ndeshjen. Mendova që goli ishte offside. Takova arbitrin e VAR-it pas ndeshjes dhe më tha më fal. Të thojë më fal arbitri që ka 5 kamera… Të vijë ky dënim nga VAR-i është e pafalshme. Në pjesën e parë humbëm 3-4 raste për të shënuar. Dinamo erdhi dy herë me raste sporadike dhe shënoi. Lojtarët treguan karakter deri në sekondën e fundit. Por ky gol i pësuar kështu në fund të dhemb. Luajtëm më mirë se Dinamo, e kontrolluam ndeshjen. Por rëndësi kanë pikë”.

Gvozdenoviç (Skënderbeu): “Sot ishim keq. Pësuam shumë gola. Nuk e kuptoj, 4 gola ishin gabime teknike elementare. Urime Vllaznisë, e meritoi fitoren. Jo vetëm Skënderbeu, shumë skuadra s’kanë vazhdimësi. Vetëm Egnatia që është në vendin e parë, ka shumë fitore. Goli i parë ishte gabim. Nuk e kuptoj fare se si ka mundësi. Por ky është futbolli. Jemi për kritika.”.

Mehmeti (Dinamo): “Fitorja e sotme ishte shumë e rëndësishme, sepse të dyja skuadrat vinin nga rezultate negative. Presioni dukej edhe sot në gabimet individuale. Të vjen keq për mënyrën se si i marrim golat dhe nuk jemi në ekuilibër kur jemi në avantazh. Por ishte shumë e rëndësishme të merrnim tre pikët. Kur shkon shumë shpesh dhe nuk di ti zgjidhës situatat parë portës, kjo tregon pak ngërç”.

Osmani (Vllaznia): “Pjesën e parë nuk ishim në nivel. Linim shumë hapësira. Mendoj se ka vend për përmirësim të ekipit, sepse ngarkesa për rezultat… Kishim një ngarkesë të rëndë, ku rezultatin e vumë në prioritet. Në fillim kur kam ardhur këtu insistoja në presing, në lojën një me një. Nuk patëm rezultat. Kur nuk shkon diçka, duhet të ndryshosh. Janë lojtarë të shpejtë, e kërkojnë topin në thellësi”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/