“Për nivelin e kampionatit, meritojmë të jemi në grupet e Ligës së Konferencës”, Duka synon pjëmarrjen e ekipeve shqiptare në Europë

Armand Duka ka zhvilluar sot një konferencë për shtyp përoara gazetarëve të sportit. Kreu i FSHF-së është ndalur ndër të tjera edhe te niveli i “Abissnet Superiore”-s dhe mungesa e skuadrave të kampionatit shqiptar në grupet e garave të UEFA-s. Duka është i mendimit se për nga niveli që ka liga vendase, meriton që të ketë një ekip në grupet e Ligë së Konferencës. Sipas tij, kampionati shqiptar çalon te financat, pasi me financa më të shëndosha klubey do të kishin mundësinë të mbanin talentet e tyre.

“Në edicionin e fundit në Kupat e Europës ka pasur ndryshim pozitiv. Pak më mirë se 1 vit më parë. I kemi menduar të gjitha se si mund të bëjmë ndryshime që edhe klubet shqiptare të marrin pjesë. Për nivelin e futbollit që kemi, e meritojmë që të jemi të paktën në grupet e Ligës së Konferencës. E kemi parë që një talent, sapo rritet, largohet.

Njerëzit njohin disa futbollistë që luajnë në disa ekipe të larta apo në Kombëtare, por kemi shumë emra që luajnë në Turqi, Ukrainë, Rusi, Rumani. Nëse do të kishte financa më të mira, do të kontribuonin për klubet tona dhe do të kishim rezultate të mira në Europë. Përveç imazhit pozitiv, pjesëmarrja në Ligën e Konferencës do të rregullonte edhe financat. Vendosëm që të hapet dhe të luajnë futbollistë të huaj, me idenë që do të kishim rezultate pozitive. Vitin e kaluar ishte më mirë, mendoj që do të jetë më mirë në kampionat dhe të paktën të kemi një skuadër në Ligën e Konferencës”, është shprehur Armand Duka./Sport Ekspres/