Shqipëria U21 ndal Spanjën, kuqezinjtë e Alban Bushit dalin të pamposhtur nga “Air Albania”

Shqipëria U21 ka marrë një tjetër rezultat pozitiv mbrëmjen e sotme. Pasi përmbysën Luksemburgun pak ditë më parë, kuqezinjtë e vegjël kanë arritur të ndalin një Kombëtare elitare ai ajo e Spanjës. Testi miqësor është kaluar me sukses për ekipin e Alban Bushit, i cili ka dalë i pamposhtur nga “Air Albania”.

Ndeshja ka përfunduar me shifrat 0-0, teksa asnjëra nga skuadrat nuk mundi të gjente rrugën e rrjetës. Shpresat kuqezi u mbrojtën me forca të shumta në prapavijë, por nuk munguan as shanset në portën kundërshtare. Megjithatë asnjë prej rasteve nuk u finalizua me gol. Ekipi i Bushit përfundoi kështu me sukses dy prova mjaft të rëndësishme miqësore, të cilat do ta ndihmojnë për t’u përgatitur për Europianin 2027, në të cilin Shqipëria U21 do të jetë pjesëmarrëse në fazën e grupeve./Sport Ekspres/