KF Skënderbeu ka reaguar publikisht pas lajmeve në lidhje me merkaton e klubit. Bardhekuqtë nuk kanë ende dritën e gjelbër nga FIFA për të regjistruar lojtarët e afruar këtë verë dhe nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare në “Facebook” ka zbuluar arsyen e vërtetë të bllokimit të merkatos. Klubi bën me dije se çështja lidhet me FIFA Clearing House ( mosshlyerjen e detyrimeve të trajnimit të lojtarëve në klubet ku ata janë zhvilluar profesionalisht) dhe se po ndiqet institucionalisht.
“Në lidhje me lajmet e publikuara së fundmi mbi situatën e merkatos së KF Skënderbeu, dëshirojmë të sqarojmë se informacionet dhe shifrat që po qarkullojnë nuk pasqyrojnë situatën reale të klubit.
Çështja lidhet me procedurat e FIFA Clearing House dhe është aktualisht në proces verifikimi pranë FIFA-s, ku klubi ka dorëzuar dokumentacionin dhe marrëveshjet përkatëse. Klubi po e ndjek çështjen institucionalisht dhe jemi në pritje të përfundimit të procesit të verifikimit”, ka njoftuar klubi Skënderbeu./Sport Ekspres/