Egnatia ka zhvilluar një paraqitje për t’u duartrokitur në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve ndaj skuadrës sllovene Celje. Edhe pse rezultati përfundimtar ishte 3-3, kampionët e Shqipërisë treguan karakter, cilësi dhe guxim përballë një kundërshtari me më shumë përvojë në arenën europiane.
Skuadra nga Rrogozhina e nisi ndeshjen pa komplekse dhe arriti të kalonte në avantazh falë golit të Eneo Bitrit, duke ndezur entuziazmin e tifozëve vendas. Më pas sfida u kthye në një spektakël të vërtetë, me të dyja ekipet që krijuan raste dhe dhuruan emocione deri në sekondat e fundit.
Megjithëse Celje arriti të shfrytëzonte disa momente të mira për të shënuar, Egnatia nuk u dorëzua në asnjë çast. Futbollistët shqiptarë reaguan me personalitet, luftuan për çdo top dhe rikthyen rezultatin disa herë, duke dëshmuar se mund të rivalizojnë denjësisht në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube.
Paraqitja e Egnatias ishte mesazhi më i fortë i mbrëmjes. Kampionët e Shqipërisë treguan organizim, intensitet dhe besim në lojën e tyre, ndërsa krijuan vështirësi të mëdha për një ekip që ka eksperiencë të konsiderueshme në kupat e Europës.
Barazimi 3-3 e lë plotësisht të hapur çështjen e kualifikimit përpara ndeshjes së kthimit në Slloveni. Nëse Egnatia përsërit të njëjtin nivel loje dhe ruan të njëjtin ritëm, shanset për të bërë një tjetër surprizë dhe për të kaluar në raundin tjetër mbeten më se reale. Performanca e treguar ishte një reklamë e shkëlqyer për futbollin shqiptar dhe një sinjal se Egnatia është gati të luftojë deri në fund për ëndrrën europiane. /Sport Ekspres/