U përjashtua nga trajneri i Kosovës, Edon Zhegrova mohon lajmin: Do të flas në fushë

Një lajm i bujshëm tronditi opinionin sportiv në Kosovë dhe në Shqipëri. Trajneri Franko Foda vendosi me dorë të hekurt për të përjashtuar nga grumbullimi tre yje të skuadrës. Bëhet fjalë për Edon Zhegrovën, Arijanet Muriçin dhe Florent Muslijën. Të tre lojtarët kaluan mbrëmjen në klub nate, ndërsa Muriçi provoi gjithashtu të sillte edhe femra në hotel. Kjo thyerje disiplinore nuk u tolerua nga Foda, i cili i largoi menjëherë nga grumbullimi.

Por Edon Zhegrova ka shkaktuar një konfuzion të madh me reagimin e tij. Ai ka shpërndarë një “story” në llogarinë e tij zyrtare në “Instagram”, ku përgënjeshtrin gjithçka. “Përshëndetje të gjithëve! Lajm i rremë. Këto lajme janë të pavërteta dhe pa fakte. Do të flas në fushën e lojës, shihemi së shpejti”, ka shkruar Edon Zhegrova./Halit Delibashi-Sport Ekspres/