Kombëtarja shqiptare vazhdon të forcojë lidhjen me tifozët kuqezi, duke u kthyer në simbolin kryesor të identifikimit sportiv për shqiptarët. Këtë e konfirmojnë edhe gjetjet e raportit “UEFA Grow Market Research”, i realizuar nga UEFA në bashkëpunim me agjencinë prestigjioze Nielsen.
Sipas studimit, mbështetja për Kombëtaren shqiptare ka njohur një rritje të jashtëzakonshme gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2016, 61% e tifozëve deklaronin se mbështesnin ekipin kombëtar, ndërsa në vitin 2026 kjo shifër ka arritur në 91%, duke e pozicionuar Shqipërinë dukshëm mbi mesataren europiane prej 70%.
Raporti evidenton se Kombëtarja është kthyer në prioritetin kryesor për tifozët shqiptarë. Mes atyre që ndjekin njëkohësisht futbollin e klubeve dhe ekipet kombëtare, 70% e konsiderojnë Kombëtaren si më të rëndësishme, ndërsa vetëm 15% vendosin në plan të parë futbollin e klubeve.
Këto të dhëna dëshmojnë forcimin e lidhjes së tifozëve me fanellën kuqezi dhe rritjen e identifikimit me ekipet kombëtare shqiptare, të cilat gjatë viteve të fundit kanë sjellë emocione të shumta dhe rezultate të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.
Raporti tregon gjithashtu se tifozët shqiptarë vijojnë të ndjekin gjerësisht futbollin ndërkombëtar në nivel klubesh. Sipas studimit, 35% e tifozëve mbështesin një klub jashtë Shqipërisë, ndërsa 28% deklarojnë se mbështesin një klub vendas. Këto të dhëna pasqyrojnë interesin e lartë të publikut shqiptar për futbollin europian, krahas lidhjes së fortë me ekipet kombëtare.
Studimi evidenton gjithashtu se tifozët shqiptarë vazhdojnë të ndjekin edhe kombëtare të tjera europiane. Italia mbetet skuadra e huaj më e ndjekur me 29%, e ndjekur nga Gjermania me 26%. Megjithatë, mbështetja për Kombëtaren shqiptare mbetet dominuese dhe në nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë.
Gjetjet e raportit konfirmojnë se Kombëtarja shqiptare vazhdon të jetë pika më e fortë e bashkimit të tifozëve dhe një nga faktorët kryesorë që nxit interesin dhe pasionin për futbollin në vend.