Verë e çmendur për futbollin europian, Arsenal tenton që të firmos me Vinicius Junior nga Real Madrid

Arsenali po shqyrton seriozisht mundësinë për të realizuar një nga transferimet më të bujshme të verës, duke synuar afrimin e yllit brazilian të Real Madridit, Vinicius Junior. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, drejtuesit e klubit londinez kanë dhënë miratimin e brendshëm për të eksploruar këtë operacion, edhe pse deri në këtë moment nuk ka negociata zyrtare mes dy klubeve.

Trajneri Mikel Arteta e konsideron Viniciusin si profilin ideal për të forcuar krahun e majtë të sulmit. Shpejtësia, aftësitë në duelet një kundër një dhe eksperienca në nivelet më të larta e bëjnë brazilianin një objektiv të ëndrrave për “Topçinjtë”. Megjithatë, realizimi i këtij transferimi mbetet shumë i komplikuar për shkak të kostos së lartë dhe pagës së futbollistit.

Nga ana tjetër, Real Madridi vazhdon të kërkojë rinovimin e kontratës së Viniciusit, por deri tani palët nuk kanë arritur një marrëveshje përfundimtare. Kjo situatë ka nxitur interesimin e disa klubeve të mëdha evropiane, me Arsenalin që po monitoron nga afër çdo zhvillim.

Nëse braziliani vendos të mos zgjasë kontratën me “Los Blancos”, Arsenali mund të hidhet në sulm me një ofertë rekord. Gjithsesi, për momentin bëhet fjalë vetëm për interes konkret dhe vlerësime të brendshme, ndërsa e ardhmja e Vinicius Junior pritet të sqarohet në javët e ardhshme, kur ai të rikthehet në Madrid për të diskutuar me drejtuesit e klubit spanjoll. /Sport Ekspres/