Zbehen shanset e Shqipërisë, talenti shqiptar ftohet nga Nagelsmani me ekipin e parë: Ka mundësinë të tregojë veten me skuadrën A

Brajan Gruda është një nga lojtarët më të përfolur së fundmi në Gjermani. Futbollisti shqiptar ka zhvilluar një sezon të shkëlqyer me Majncin, ku është ndjekur me vëmendje edhe nga Silvinjo. Trajneri i Kombëtares shqiptare ka shkuar ta shohë edhe nga afër në stadium, duke rritur shpresat për ta veshur kuqezi.

Por lëvizja e fundit në Kombëtaren gjermane ka vënë në pikëpyetje gatishmërinë e tij për të zgjedhur Shqipërinë. Së bashku me Rajtcin, Gruda është thirri nga ekipi i parë i Gjermanisë. Ai është vënë nën urdhërat e Nagelsmanit dhe do të stërvitet me grupin e lojtarëve që do të marrin pjesë në Euro 2024 deri të premten.

“Disa nga lojtarët e Kombëtares sonë janë ende në aksion në finalen e Kupës së Gjermanisë dhe në finalen e Ligës së Kampionëve dhe do t’i bashkohen ekipit më vonë. Për të pasur mundësinë që të stërvitemi në mënyrë optimale në përgatitjet fillestare, kemi dëshirë t’i japim dy lojtaëve të rinj dhe premtues mundësinë për të shfaqur veten e tyre në ekipin e parë. Shumë faleminderit kolegut tim, Antonio Di Salvo, për shkëmbimin e mirë dhe për bashkëpunimin e ngushtë me U21-shin tonë”, ka thënë Julian Nagelsmani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/