Ekipi në Qipro e mban peng, dy ekipe të Superiores në garë për të firmosur me Rudolf Turkajn

Jemi në kohë merkato dhe ekipet e Superiores janë në lëvizje për të përforcuar organikën e tyre. Rastet e lojtarëve që janë pa kontratë janë të preferuarat e skuadrave tona dhe e parë në këtë prizëm, një rast si Rudolf Turkaj nuk mund t’i shpëtonte nga orbita.

Mbrojtësi 30-vjeçar e njeh mirë elitën e futbollit shqiptar ka qenë pjesë e Superiores duke shkëlqyer me Laçin për disa sezone. Ishin pikërisht ndeshjet e zhvilluara me Lacin në nivel të lartë që e dërguan këtë lojtar në Francë, teksa firmosi me Martigues, atje ku luajti për një sezon.

Për shkakun e një dëmtimi, Turkaj nuk e shfrytëzoi dot këtë mundësi dhe më pas shkoi në Kosovë, te Suhareka. Aktualisht është pa kontratë, por në bazë të informacioneve tona janë dy ekipe të elitës së Superiores që janë tanimë në kontakt me këtë mbrojtës. Megjithatë në orët e fundit në skenë ka dalë edhe një ekip nga Qipro që do të mbajë peng zgjedhjen e futbollistit nëse do të vazhdojë në Superiore apo do të ndërrojë sërish destinacion, siç bëri pak kohë më parë në Francë. /Sport Ekspres/