“Ndoshta nuk e dini, por më kërkoi Vllaznia”! Aleksi tregon përplasjen: 20 veta nuk përfaqësojnë Shkodrën, ata tregojnë veten

Albano Aleksi u bë një temë e shumëkomentuar pas ndeshjes mes Egnatias dhe Vllaznisë. Në momentin e golit të shënuar nga Egnatia, Aleksi shkoi për të festuar pranë tribunës qëndrore, atje ku gjendeshin një pjesë e tifozëve të Shkodrës, por edhe pankina e Vllaznisë. Në Shkodër e kanë marrë si një provokim të rëndë të Aleksit, por vetë futbollisti në një intervistë për “Kubi Sportiv” në “EuroNews” me gazetarin Drilon Xhepollari ka sqaruar gjithçka.

“Të dyja ekipet prodhuan një futboll modern dhe europian. Përpos rezultatit, të gjithë e shijuan ndeshjen, pavarësisht faktit se të dy ekipet nuk janë të kënaqur me barazimin, as ne dhe as Vllaznia. Goli me skemë? E shpiku Tetova, e kishim bërë tre herë në stërvitje, dy herë ishin gol dhe njëherë jo. Për fat të mirë shkoi gol dhe e gjitha ishte sipas planit. Ndoshta nuk më njohin të gjithë mirë, por kur shënon gol në fund, ke gëzim të madh. U drejtova tribunës, pa e vënë re se kush ishte nga adrenalina.

Festimi nuk ishte për sharje dhe për shkodranët, por për t’iu drejtuar presidencës që ne jemi këtu dhe cdo kush mund të na mundi kaq lehtë. Por mesa duket në tribunë paska pasur edhe tifozë të Vllaznisë dhe e kanë marrë për ofendim, nuk kisha asgjë me ta. Jemi profesionistë, por jemi njerëz. Mërzitemi kur na shajnë, por secili tregon veten e tij dhe karakterin. Unë kam miq në Shkodër, por futbolli është i tillë, kur luaj te Egnatia jap 200% tim. Para se të vija te Egnatia, unë kam pasur ofertë nga Vllaznia, ndoshta nuk e dini. Unë bëra këtë zgjedhje dhe shyqyr sepse kam fituar trofe. Ata 20 veta që më shajnë nuk përfaqësojnë Shkodrën”, tha Aleksi. /Sport Ekspres/