Skënderbeu ka marrë një fitore të rëndësishme në javën e shtatë të Abissnet Superiore, duke mposhtur Elbasanin me rezultatin 2-1 në Korçë. Skuadra e Julian Ahmatajt ka përmbysur gjithçka, duke siguruar tri pikë me shumë vlerë në një moment të vështirë të sezonit.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, me të dyja skuadrat që kërkonin golin. Elbasani arriti të kalonte në avantazh në minutën e 41-të, kur Mazari dërgoi topin në rrjetë pas një aksioni të nisur nga Nikaj. Verdheblutë dukeshin se do ta mbyllnin pjesën e parë në epërsi, por Skënderbeu reagoi në kohën shtesë. Ishte Bismark ai që riktheu baraspeshën në minutën e 45+2-të, duke shfrytëzuar një goditje dënimi dhe duke dërguar topin me kokë në rrjetë.
Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat luftuan për golin e fitores, por sërish heroi i korçarëve do të ishte Bismark. Sulmuesi realizoi golin e dytë personal në minutën e 77-të, duke përmbysur rezultatin dhe duke ndezur festën në stadium. Ky sukses është jetik për Skënderbeun, që më në fund gjen fitoren e parë në kampionat. Nga ana tjetër, Elbasani largohet nga Korça duarbosh, pas një sfide ku nuk arriti të ruante avantazhin. /Sport Ekspres/