Shqipëria U-21 arriti dy fitore brenda katër ditësh në miqësoret kundër Moldavisë dhe Ukrainës. Shpresat e drejtuar nga Alban Bushi mposhtën 1-0 Moldavinë në transfertë ndërsa mbrëmjen e kaluar triumfuan me rezultatin 2-0 ndaj Ukrainës në “Elbasan Arena”.
Pas fitores në shtëpi kundër ukrainasve, në një prononcim për fshf.org trajneri Bushi u shpreh i kënaqur jo vetëm me rezultatet në këto dy ndeshje, por edhe me paraqitjen e skuadrës së tij në fushë.
“Jemi të kënaqur. Dy ndeshje, dy fitore, nuk është se nuk i kishim menduar. Gjithmonë futemi për t’i fituar ndeshjet. Po mënyra se si erdhi kjo e dyta, jam i lumtur sepse luanim me një kundërshtar shumë të fortë. Ukraina është një nivel shumë i lartë, ekip i rangut të Gjermanisë, goxha më mirë se ne.
Jam shumë i kënaqur nga ekipi, dua t’i falënderoj sepse vrapuan dhe luftuan shumë. Por dua të falënderoj edhe lojtarët e tjerë që nuk luajtën dhe që nuk pata mundësi t’i fusja në lojë. Ne pavarësisht se luajmë miqësore, përqasjen e bëjmë sikur është kualifikuese sepse këto janë si kualifikuese për ne. Dhe dua që ta kuptojnë edhe lojtarët vetë që ne i duam fitoret. Intensiteti i lojës ishte shumë i lartë dhe në pjesën e dytë nuk pata mundësi të bëj shumë ndërrime.
Jam shumë i lumtur sepse kur e sheh që ekipi lufton e sakrifikon dhe kanë qëllim që të mbrojnë rezultatin, ne ndihemi mirë. Ukraina na vuri në vështirësi sidomos pjesën e dytë, ishin më të freskët se ne. Bëmë një përqasje shumë të mirë, do të vazhdojmë kështu sepse jemi rritur goxha në çdo aspekt” – tha Alban Bushi për fshf.org.