“Nuk e prisja të mundnim Tiranën aq lehtë, 6-2”! Lorenzo Vila: Ilir Daja është trajneri më i mirë që kam punuar

Dinamo ka marrë një fitore të madhe kundër Tiranës duke fituar në shifrat 6-2. Një fitore e thellë në derbi, ndërsa i ftuar në “Kubi Sportiv” që transmetohet në “EuroNews Albania” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari ishte Lorenzo Vila. Ishte një prej autorëve të golit ndaj Tiranës, në një fitore që sipas vetë lojtarit, nuk pritej.

“Ishte një ndeshje e bukur nga ne, zhvilluam një ndeshje perfekte. Si goli i Bregut dhe i Qardakut dhe i imi ishin mjaft të bukur. Goli i Qardakut për mua ishte më i bukur nga goditja e dënimit. Kam luajtur në disa role të ndryshme, por për mua është më e rëndësishme që të jem në fushë, pavarësisht pozicionit.

Zhvilluam një kompeticion shumë të mirë në Europë dhe pastaj fillimi i kampionatit, nisi mirë, por pastaj kishim disa luhatje. Derbi me Tiranën? Jo, nuk e prisja kaq të lehtë. Por të jemi realist dy golat e shënuara në 10 minutat e para na liroi disi dhe prandaj fituam aq thellë, 6-2. Daja? është trajneri më i mirë që kam punuar, shumë detajist dhe profesionist”, tha Lorenzo Vila. /Sport Ekspres/