“Humbja ndaj Ballkanit, nga më të rëndat”, ish-trajneri i Dinamos së Zagrebit tregon disfatën nga Ilir Daja: Isha i inatosur si një rrëqebull pas asaj ndeshjeje

Sergej Jakiroviçi ka sjellë në kujtesë humbjen befasuese kundër Ballkanit. Ekipi i udhëhequr nga Ilir Daja mposhti Dinamon e Zagrebit në ndeshjen e dytë në grupet e Ligës së Konferencës në tetor të vitit 2023. Në një intervistë të dhënë për “Germanijak”, trajneri boshnjak e konsideron atë humbje si një nga më të rëndat, teksa tregon se ishte tejet i inatosur pas vërshëllimës së trefishtë të arbitrit.

“Ballkani është një histori e veçantë në rrethana të veçanta. Luajti një ekip që nuk luajti më  në 11-she më pas. Mendoj se ishte e vetmja ndeshje në Dinamo që kisha ndjesi të keqe. Fushë e keqe, ata kishin disa lojtarë të shpejtë në krahë, mbrojtja jonë ishte paksa e ngadaltë dhe çfarë ndodhi, ndodhi. Ajo ishte një nga humbjet dhe ditët tona më të rënda në përgjithësi në Maksimir. Isha i inatosur si një rrëqebull pas asaj ndeshjeje. Por në fund e kaluam grupin, kaluam dimrin në Europë, i cili ishte edhe objektivi. Më vonë eleminuam Betisin, çka ishte një përvojë e shkëlqyer”, ka deklaruar Sergej Jakiroviçi./Sport Ekspres/