Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, dhe mbrojtësi Elseid Hysaj dolën sot në konferencën zyrtare për mediat në prag të ndeshjes miqësore ndaj Luksemburgut. Ata folën për përgatitjet e skuadrës, analizën e sfidës së kaluar me Izraelin, kundërshtarin e radhës dhe objektivat e ekipit kuqezi, ndërsa vlerësuan rëndësinë e kësaj ndeshjeje në kuadër të vazhdimit të punës dhe ndërtimit të skuadrës për sfidat e ardhshme.
Trajneri Maran u ndal te aspektet që duhen përmirësuar pas sfidës me Izraelin, veçanërisht në menaxhimin e hapësirave dhe fazën e tranzicionit. Tekniku kuqezi vlerësoi paraqitjen e Sherrit dhe theksoi se ndryshimet që do të bëhen ndaj Luksemburgut do t’i shërbejnë përgatitjeve për ndeshjet e ardhshme.
Sa ju ka vlejtur ndeshja e parë dhe një stërvitje para Luksemburgut? – Mendoj se janë bërë disa gjëra mirë, disa gjëra dhe jo mirë. E prisja, kur bën ndryshime mund të ketë vështirësi. Janë rreth 20 ditë që jam trajner i kombëtares. E kisha të qartë se këto ndeshje do të më shërbenin jo vetëm për të njohur lojtarët, por edhe për t’i kuptuar dhe dëgjuar, sepse kur i stërvit është ndryshe nga puna që bëhet me video. Kam marrë përgjigje të mira. I gjithi ky është një rrugëtim. Po i referohem një prej diskutimeve, mungesës së goditjeve në portë, mendoj ndryshe. Para se ata të shënonin ne kemi pasur 3-4 raste me rrezikshmëri të lartë para portës me Hoxhën, Ramadanin dhe Mehmetin, por mund të them qëndoshta na ka munguar precizioni për të shënuar. Një skuadër duhet të shqetësohet nëse nuk ka goditje në portë, por kemi dalë para portës më shumë se në dy raste dhe ky është aspekt pozitiv. Në momentin që ushtronim presion kemi mbetur pa mbulim mbrapa. Aty kemo gabuar. Duhet të ekuilibrohemi si skuadër, të spostohemi si skuadër. Kjo ndeshje më ka shërbyer shumë për t’u fokusuar Duhet te elementët taktikë të rëndësishëm dhe për t’i përmirësuar te ndeshja e radhës.
Çfarë Shqipërie do jetë ndaj Luksemburgut? Si është gjendja e lojtarëve? – Ka disa gjëra që duhet të përmirësojmë gjërat që nuk kanë shkuar mirë. Kur ushtrojmë presion, duhet të jemi të zotë të punojmë mirë me hapësirat që lëmë mbrapa në krahë, të jemi të ekuilibruar. Kam parë një përfshirje të madhe nga skuadra dhe kjo për mua përbën një vlerë të madhe. Besoj se ky përmirësim do vijë shumë shpejt. Është e vështirë në pak kohë, sepse kemi 3-4 ditë që punojmë bashkë, do të kuptohemi mirë në vazhdim, pasi lojtarët janë shumë të vëmendshëm dhe kjo më jep besim. Nuk ka asnjë kundërshtar të lehtë, e dini këtë edhe ju, por ne duhet të zbresim në fushë me vëmendje të madhe dhe përkushtim dhe për të përmirësuar paraqitjen në fushë. Ky rezultat ka rëndësi, këto dy ndeshje do jenë shumë kyçe për ndeshjet e shtatorit. Sa i përket gjendjes së lojtarëve, Uzuni rikthehet dhe do të stërvitet me grupin, ndërsa Mehmeti nuk do të jetë gati pasi ka kaluar një gjendje gripale.
Cili lojtar ju ka surprizuar më shumë këto ditë? Cili mund të jetë pozicioni më i mirë i Lusi Hasës? – Nuk dua të jap emra, s’më duket e drejtë. Në këtë moment dua të vlerësoj mënyrën si po punon skuadra, pasi kanë treguar një disponibilitet të madh, duke marrë parasysh që është fundi i sezonit dhe mund ta kenë mendjen edhe te pushimet. Mendoj se në ndeshjen e kaluar kemi luajtur mirë deri në momentin e pësimit të golit.
Duke marrë shkas edhe nga diskutimi i Elsit. Djemtë e tillë janë ata që e ndihmojnë Kombëtaren të rritet, pasi ka arritur një rezultat fantastik, të arrihet ky numër ndeshjesh dhe i bëj komplimenta.
Hasa mendoj se luan më mirë brenda në fushë se sa në krah, mbase dhe në rolin e gjysmë-mesfushorit. Duhet punuar më tepër me të, sepse ka hyrë në fushë në një moment pak të komplikuar të ndeshjes. Janë hapat e parë të tij dhe mund të bëjë gjëra të mëdha.
Broja, Hoxha dhe Laçi luajtën në pozicione të ndryshme në ndeshjen e parë. Çfarë përgjigje morët? – Janë hapësira që duhen mbuluar dhe më pas të zhvillohen ato që kemi provuar. Këto ndeshje janë test për të kuptuar karakteristikat e lojtarëve në role të ndryshme. Duhet të përfitoj nga këto ndeshje, mbase edhe “në kurriz” të performancës, pasi dua të kuptoj çfarë mund të bëj kur ndeshjet të jenë më deçizive, në Nations League.
Çfarë nuk të pëlqeu pas pësimit të golit me Izraelin dhe kush janë pikat negative të ndeshjes? – I keni parë dhe ju çfarë nuk shkoi mirë në ndeshjen e kaluar. Ndoshta kemi gabuar në mbulimin e hapësirave kur skuadra e Izraelit riniste lojën. Nëse duam të sulmojmë me shumë lojtarë, duhet të jemi të kujdesshëm për të mbuluar hapësirat me të tjerët. Mund të luajmë në pritje, duke çuar 2 lojtarë para, ose duhet të sulmojmë me më shumë lojtarë dhe të jemi të kujdesshëm në mbrojtje. Këtu duhet të përmirësohemi patjetër. Në aspektin ofensiv, ishte hera e parë që skuadra bënte disa gjëra specifike, ka kërkuar të zërë hapësirar siç e kemi provuar dhe në disa momente ia ka dalë dhe ka qenë efikase. Më vjen keq që pas golit kemi humbur pak distancat nga dëshira për të barazuar, mund të kishim pësuar edhe një gol tjetër dhe kjo gjë nuk duhet të ndodhë.
A bindi Alen Sherri dhe a do të kemi shumë ndryshime në ndeshjen me Luksemburgun? – Alen Sherri ka bërë ndeshje shumë të mirë, ka arritur të menaxhojë dhe të ndalojë disa raste të rrezikshme për skuadrën tonë. Ka qenë paraqitje shumë pozitive për të. Rasti i Hysajt si titullar është specifik, por preferoj ta bëj personalisht lajmërimin me lojtarët nëse do luajnë apo jo. Ndoshta do ketë mundësi, por mbetet për t’u vlerësuar. Emrat e lojtarëve të rinj që mund të marrin minuta nesër, nuk dua t’i zbuloj para kohe. Kam dëshirë që kësaj skuadre t’i jap një lloj vazhdimësie. Do ketë ndryshime, por në kuadrin e provimit të gjërave për vazhdimësinë që do kemi edhe për ndeshjet e ardhshme në shtator.