Elbasani ka marrë një fitore spektakolare 2-1 ndaj Partizanit, duke përmbysur gjithçka në minutat e fundit të ndeshjes së vlefshme për javën e tetë të “Abissnet Superiore”. Skuadra e drejtuar nga Glen Daja ka triumfuar në një përballje dramatike, ndërsa të kuqtë e Mislav Karoglanit largohen me duart bosh.
Partizani e nisi më mirë takimin dhe kaloi në avantazh në minutën e 17-të. Jovicic u tregua i saktë me kokë, pas një krosimi nga goditja e këndit, duke kaluar miqtë në epërsi. Sulmuesi shënoi edhe një herë në minutën e 31-të, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Pjesa e parë u mbyll 0-1, ndërsa Elbasani u përpoq të gjente rrugën drejt barazimit pas pushimit. Kur dukej se Partizani do të merrte tri pikët, vendasit shpërthyen në minutat e fundit.
Në minutën e 82-të, Mazari riktheu baraspeshën, duke ndezur shpresat e tifozëve në “Elbasan Arena”. Vetëm gjashtë minuta më vonë, Nikaj realizoi golin e përmbysjes, duke shkaktuar festë te verdheblutë. Fitorja merr një rëndësi të veçantë për Elbasanin dhe trajnerin Glen Daja, ndërsa Partizani pëson një goditje të rëndë pasi shpërdoroi avantazhin dhe rastet për të mbyllur ndeshjen më herët.
Nga ana tjetër, Skënderbeu dhe Laci kanë ndarë pikët në barazimin 1-1. Goli i parë u shënua nga vendsit e Ahmataj, teksa në minutën e 27, Lagonidis shënoi golin e avantazhit. Por në pjesën e dytë ndodhi edhe barazimi i ardhur nga ana e Traores në minutën e 66, për të dhënë pikën për Lacin. I njëjti lojtar kishte edhe një mundësi të artë për të sjellë përmbysjen, por nuk e ka shfrytëzuar atë moment. /Sport Ekspres/