Aurelio De Laurentiis dhe Jose Mourinho janë njerëz që i kanë dhënë shumë futbollit. Pavarësisht pikëpamjeve të tyre, të cilat shpesh shkaktojnë shumë polemika, futbolli italian nuk do të ishte ai që është pa ata të dy. Dhe, nuk përjashtohet që futbolli t’i bëjë bashkë, pra të bashkëpunojnë te Napoli, gjë që 14 vite më parë dukej e paimagjinueshme. Pikërisht 14 vite më parë ata bënë një sherr për të cilin flitet edhe sot.
Le të kthehemi te viti 2010 dhe 14 shkurti. Mourinho po drejtonte Interin dhe ishte në rrugën për të fituar tripletën. Interi do të luante në transfertën e Napolit dhe presidenti kontrovers i këtij klubi vendosi ta ngrinte atmosferën në mënyrën e tij. Ai foli për Mourinhon për mediat vendase dhe mënyra se si e cilësoi ishte tallëse.
“Mourinho, nuk do ta zëvendësoja me Mazzarrin (atëherë drejtonte Napolin). Ai është një trajner i jashtëzakonshëm, siç tregon historia e tij profesionale. Ai është gjithashtu një shoëman dhe di të komunikojë. Ai di t’i drejtohet audiencës dhe televizionit. Do të doja ta shihja Mourinhon si aktor në një nga filmat e mi. Mourinho është personi i fundit që do ta merrja si trajner. Edhe nëse ma japin falas, do të mbaj Mazzarin”, tha De Laurentiis, i cili ishte producent filmash.
Sigurisht, nuk u desh shumë kohë që Mourinho të përgjigjej. Përgjigja ishte e ashpër, në stilin e Special One. “De Laurentiis nuk më do mua? Epo, ai nuk mund të më përballojë gjithsesi. Ai është një njeri i vogël që është gjithmonë në TV, i cili ka folur për mua në të kaluarën dhe nuk e ka kuptuar që futbolli nuk është Hollyëood”. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/