Rekordi vazhdon. Leverkuseni numëron sot ndeshjen e 37 pa humbje për këtë sezon. Gjermanët kanë fituar me shifrat 3-2 ndaj Karabakut, në një ndeshje që ofroi emocione të jashtëzakonshme. Azerët ishin shumë pranë kualifikimit, por në minutat shtesë u përmbys gjithçka që ata kishin ndërtuar.
Karabaku kaloi i pari në epërsi me anë të Zubirit në minutën e 58’, ndërsa në të 67-n Zhuninjua dyfishoi shifrat. Leverkuseni u kundërpërgjigj me anë të Frimpongut në minutën e 72-të, duke mbajtur gjallë shpresat për të befasuar azerët.
E kështu ndodhi. Karabaku udhëhoqi me rezultatin 1-2 deri në minutën e 93-të, atëherë kur Shiku, ashtu si në ndeshjen e parë, e dëgoi në rrjetë dhe ktheu sërish baraspeshën. Një “deja vu” për lojtarët e Karabakut, që një skenar identik e panë edhe në Azerbajxhan, kur “aspirinat” shënuan dy gola në minuat shtesë. E kështu ndodhi edhe këtë herë. Patrik Shiku bëri heroin për Bajerin, teksa në minutën e 98 shkundi sërish rrjetën dhe i dha fitoren 3-2 skuadrës së tij. Një përmbysje e çmendur e ekipit të Alonsos, që kualifikohet kështu për në çerekfinale të Ligës së Europës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/