Shqipëria U-17 është gati për sfidat kualifikuese ndaj Portugalisë, Çekisë dhe Malit të Zi, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2024 për këtë grupmoshë. Kuqezinjtë kanë udhëtuar mëngjesin e së shtunës drejt Portugalisë dhe do të grumbullohen në Lisbonë, aty ku do të zhvillojnë përgatitjet dhe seancat stërvitore.
Trajneri i nën 17 vjeçarëve, Ardi Behari komentoi në një pronocim për fshf.org, listën e futbollistëve të grumbulluar. Ai theksoi se grupi i lojtarëve është në gjendje optimale, ndërsa përsa i përket kundërshtarëve, trajneri shqiptar nënvizoi se Portugalia është ekipi më i forte. E megjithatë, grupi është i ekuilibruar sipas tij.
“Grupi është i plotë, me lojtarët që kemi punuar gjatë gjithë kohës. Gjendja e tyre është optimale. Edhe nga informacionet që kemi marrë për ndeshjet e fundjavës, janë aktivizuar të gjithë. Shpresojmë shumë që deri nesër të mos ndodhë asgjë. Nga emri, patjetër që Portugalia, por jo vetëm nga emri, por edhe nga kualiteti është kundërshtari më i fortë. Ka patur rezultate të jashtëzakonshme. Fitoret me Anglinë, Spanjën, Marokun, me të gjitha ekipet që ka luajtur i ka dominuar. Por edhe Çekia nuk mbetet mbrapa, është një ekip cilësor. Gjithashtu edhe Mali i Zi. Në përgjithësi është një grup i ekuilibruar, me Portugalinë që bën diferencën, ndërsa skuadrat e tjera janë për t’u mundur” – tha trajneri Behari.
Qëllimi në këto kualifikuese është i qartë për teknikun e nën 17 vjeçarëve. Sipas tij Shqipëria U-17 do të kërkojë të sigurojë sërish një vend në Elite Round. “Ky është qëllimi ynë kryesor, për t’u kualifikuar dhe për të rritur një grup lojtarësh, që do të shkojnë më lart me një mentalitet fituesi, për t’iu bashkangjitur të gjithë erës pozitive që po fryn në futbollin shqiptar” -përfundoi trajneri Ardi Behari për fshf.org.
Ndeshja e parë kualifikuese për Shqipërinë U-17 është programuar me datë 15 nëntor ndaj Portugalisë në orën 18:00, ndërsa tre ditë më vonë më 18 nëntor, në orën 13:30 do të luhet ndeshja e dytë kundër Çekisë. Sfida e fundit do të zhvillohet më datë 21 nëntor, në orën 17:00 ndaj Malit të Zi.