“Do e filloja me Guardiolën”, Bonuçi zgjedh trajnerin për Italinë: E vështirë, por nuk na bën dëm të ëndërrojmë

Leonardo Bonuçi ishte i pranishëm në Madrid për ceremoninë “Çmimet Laureus”. Ish-mbrojtësi i Juventusit nuk i ka shpëtuar interesit të mediave, të cilat e kanë pyetur edhe për gjendjen e Kombëtares italiane. Ish-lojtari i njohur ka thënë se nëse do të ishte në dorën e tij, atëherë ai do të kishte zgjedhur Guardiolën në rolin e trajnerit. Sipas tij, talenti te “axurrët” nuk mungon, thjesht nevojitet një rritje në personalitet.

“Nëse ka një dëshirë të vërtetë për të filluar nga e para, do të filloja me mundësinë e Guardiolës, pasi kjo do të thoshte një ndryshim të plotë të gjithçkaje që ka ndodhur në të kaluarën. Mendoj se është shumë e vështirë, por të ëndërrosh tani nuk na bën dëm.

Jemi me fat që kemi kaq shumë lojtarë të rinj që luajnë në një nivel të lartë dhe të tjerë që po zhvillohen. Besoj se me Donarumën, Tonalin, Bastionin, Kalafiorin, Palestrën, Pio Espositon dhe Skamakën, lojtarët janë aty. Qëllimi duhet të jetë t’i vendosim ata në gjendjen më të mirë të mundshme fizike dhe mendore, në mënyrë që të mund të performojnë gjithmonë në formën e tyre më të mirë.

Krahasuar me ekipin tonë, i cili fitoi Kampionatin Europian pesë vjet më parë, ekipi kombëtar i sotëm është sigurisht superior në aspektin e teknikës dhe talentit. Ajo që mungon është pak rritje në lidership dhe personalitet, sepse në ndeshjet më të rëndësishme, kjo është ajo që bën diferencën”, është shprehur Leonardo Bonuçi./Sport Ekspres/