Pas përmbylljes me sukses të edicionit të parë të kursit UEFA C në nëntor 2023 në qytetin e Elbasanit, ky kurs do të rifillojë sërish atje më datë 19 shkurt 2024.
Në edicionin e parë të kursit për trajnerë të licencës UEFA C në Elbasan interesi ka qenë mjaft i lartë, pasi nuk përfshiu vetëm të rinj e të reja nga qyteti i Elbasanit, por edhe nga qytetet përreth si Gramshi, Librazhdi, Peqini e Cërriku dhe për këtë arsye Sektori i Edukimit në FSHF ka planifikuar të nisë edicionin e dytë të kursit për licencën UEFA C.
Kursi do të jetë i ndarë në tre periudha leksionesh e më konkretisht në datat 19-22 shkurt 2024; 25-27 mars 2024; 15-17 prill 2024. FSHF u bën thirrje të gjithë qytetarëve të cilët jetojnë në Elbasan, Cërrik, Librazhd, Gramsh e zonat përreth të bëhen pjesë e kësaj eksperience unike duke u regjistruar sa më parë.
Ashtu si edhe në të gjitha kurset që janë organizuar në zonat e tjera të vendit, edhe në Elbasan mund të marrin pjesë ish-futbollistë, mësues të edukimit fizik, por edhe persona që janë të apasionuar pas futbollit dhe duan të zhvillojnë karrierën e tyre në këtë fushë. Mosha minimale për t’u regjistruar në kurs është 20 vjeç dhe kandidatët duhet të dërgojnë në adresën elektronike [email protected] diplomën e shkollës së mesme, aktivitetin që ushtrojnë, numrin e kontaktit si edhe një fotokopje të kartës së identitetit apo pasaportës.
Kërkesa për t’u regjistruar në kursin UEFA C, duhet të dërgohet përmes postës elektronike në adresën e-mail [email protected] ose përmes postës së zakonshme me konfirmim marrje në adresën Rr. Liman Kaba, Nd 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë ose të dorëzohen fizikisht pranë sekretarisë në të njëjtën adresë. Afati i fundit për paraqitjen e kërkesës është data 15.02.2024 dhe të gjitha aplikimet që mbërrijnë pas afatit nuk do të pranohen.
Të gjithë personat që pajisen me licencën e trajnerit UEFA C kanë mundësinë të trajnojnë skuadra në futbollin amator dhe mund të punojnë si zëvendës-trajnerë me ekipet e moshave që marrin pjesë në kampionatet e të gjitha niveleve të organizuara nga FSHF në vend.