“Kurrë nuk do të kishim shkuar dot në finale”, Murinjo flet pas eleminimit nga Champions-i: Ndoshta do të kishim mposhtur ndonjë ekip të madh

Fenerbahçja e Zhoze Murinjos i tha sot lamtumirë Ligës së Kampionëve. Turqit barazuan me rezultatin 1-1 kundër Lilës, e cila siguroi fazën “play off” për shkak të fitores në ballafaqimin e parë mes tyre. Murinjo ka deklaruar në konferencë për shtyp se ekipi i tij humbi mundësinë të luante përballë ekipeve më të mira në Europë, por gjithsesi thekson se është një kompeticion ku Fenerbahçja nuk do të kishte shkuar dot kurrë në finale.

“Jam gjithmonë një person i sinqertë. I thashë lojtarëve të mi këtë: “Jam krenar për ju”. Bëmë gjithçka si ekip, taktikisht dhe emocionalisht. Dy nga gjuajtjet tona goditën shtyllën. Humbëm 3-4 raste të pastra. Vetëm një ekip meritonte të fitonte sot. Ne humbëm shansin të luanim ndaj ekipeve të mëdha në Ligën e Kampionëve.

Gjithsesi ne kurrë nuk do ta kishim fituar dot Ligën e Kampionëve. Kurrë nuk do të kishim shkuar dot në finale. Ndoshta mund të kishim mposhtur 1-2 ekipe të mëdha. E humbëm sot këtë shans. Mund të bëjmë mirë në Ligën e Europës. Nuk po vazhdoj më me fjalën ‘nëse’. Mjafton të shikoni finalen Sevija-Roma dhe do ta kuptoni pse. Në Ligën e Europës do të luajmë me ekipe të nivelit tonë, do të jetë mirë në aspektin e garës”, ka deklaruar Zhoze Murinjo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/