“Sheh të njëjtat fytyra, 1 kuzhinier, 3 roje”! Deklarata e fortë e Bravo: Barcelona është ekip i madh nga jashtë, por ekip i vogël kur e sheh nga brenda

Në verën e vitit 2014, Barcelona i pagoi 12 milionë euro Real Sociedadit për Claudio Bravo, i cili kaloi dy sezone në klubin katalanas përpara se të transferohej te Manchester City. Me Barcelonën, ai fitoi pothuajse gjithçka që mundi në ato dy sezone, por pasi Marc-Andre ter Stegen iu dha roli i portierit të parë, vendosi se ishte më mirë për të që të gjente veten në një klub tjetër.

Katalanasit nuk e penguan, sidomos pasi Manchester City vendosi të paguante 18 milionë euro për kilianin. Megjithatë, Bravo gjeti një mënyrë për të gjetur veten në qendër të vëmendjes, sepse deklarata e tij shkaktoi pakënaqësinë e Barcelonës që nuk mund ta besojnë atë që kiliani tha për klubin katalanas. Ai foli për faktin se nga jashtë duket se Barcelona është një gjigant, por në realitet sipas tij, është një klub i vogël kur shikon situatën brenda klubit.

“Unë them gjithmonë se Barcelona funksionon si një klub i vogël. Është i madh dhe gjigant në botën e futbollit, por brenda klubit është shumë i vogël. Ju gjithmonë shihni të njëjtat fytyra dhe ka pak njerëz në klub. Ju keni lojtarë, staf, tre ose katër roje, një kuzhinier dhe disa të tjerë. Në botë, Reali dhe Barça janë klubet më të mëdha, por e vërteta është se Blaugrana është e tillë nga jashtë, dhe nga brenda është tjetër foto”, tha Bravo. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/