“Të vjen keq kur humb me penallti në fund”! Trajneri i Laçit: Mund ta përmbysim Egnatian, por të shohim si do të zgjohemi nesër njëherë

Egnatia ka arritur që të fitojë me shifrat 0-1 kundër Lacit në transfertë. Një fitore e arritur vetëm në minutat e fundit të takimit. Pas një penalltie të akorduar për miqtë, Albano Aleksi nuk do të gabonte, duke e dërguar topin në trekëndësh.

Kaq mjaftoi dhe Egnatia largohet me një rezultat të mirë nga transferta, ndërsa do ta ketë më të lehtë për të administruar rezultatin në shtëpi. Nga krahu tjetër, Laçi pas shumë barazimeve të marra, del nga fusha e saj me një rezultat negativ, duke mos gjetur dot suksesin. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “MCN TV”:

Josa: “Të vjen keq kur humb me penallti në fund. Megjithatë problemi më i madh i joni është fakti se kemi humbur shumë topa dhe pasime të thjeshtë. Ne duhet të masim njëherë forcat tona, në çfarë gjendje do të zgjohemi nesër dhe pastaj të shohim vazhdimësinë. Ne do të mundohemi që ta përmbysim ndeshjen, por problemi është se me çfarë gjendje psikologjike do të shkojmë deri aty se ka shumë ndeshje para”.

Tetova: “Në kampionat kemi bërë edhe rotacione, por në Kupë është përgjegjësi, pasi jemi kampionët në fuqi. Patjetër që do të synojmë Kupën. Nuk po dalim te goli? Është edhe për meritë të kundërshtarit, po mbyllen më mbrapa. I kam kërkuar çunave që të jenë të durueshëm. Unë e kam sqaruar çështjen e dylbive, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të kemi vazhdimësi”.