Flamurtari arriti të fitonte Kupën e Shqipërisë në Futsall pasi mundi në finalen e madhe Partizanin me rezultatin 9-7.
Ndeshja e cila u luajt në kompleksin Goga në Durrës prodhoi emocione të shumta, teksa prezent ishin edhe një numër i konsiderueshëm tifozësh që ndoqën nga afër finalen e Kupës së Shqipërisë në Futsall. Ndeshja dhuroi momente mjaft të bukura, teksa gjithçka u vendos vetëm në fundin e takimit.
Flamurtari realizoi golin e parë që në startin e ndeshjes, ndërsa Partizani bëri gjithçka mirë në pjesën e parë dhe shënoi tre gola. Edhe fraksioni i dytë nisi më mirë për të kuqtë, teksa realizua edhe dy gola të tjerë, për ta çuar rezultatin në shifrat 5-1.
Më pas ishte momenti i Flamurtarit që arriti të përmbyste gjithçka. Në fund vlonjatët triumfuan me rezultatin 9-7 dhe siguruan trofeun e parë sezonal në Futsall.
Pas përfundimit të finales u organizua edhe ceremonia për dorëzimin e medaljeve dhe trofeut. Të pranishëm ishin specialistët e futbollit amator në FSHF, Igli Mumajesi dhe Rigers Dushku që i dorëzuan medaljet dhe trofeun ekipit fitues, Flamurtari Futsal.
Pas Kupës së Shqipërisë, tashmë skuadrat do të jenë të fokusuar në Kampionatin Kombëtar të Futsallit, që është edhe turneu më i rëndësishëm.
Java e shtatë e Kampionatit të Futsallës rezervon këto përballje, Flamurtari-Tirana dhe Partizani-Vllaznia.