Redon Xhixha shpërtheu në nisjen e këtij sezoni me Qarabag, por situata ka ndryshuar rrënjësisht për ish-lojtarin e Tiranës. Thuajse të gjitha ndeshjet e fundit i ka parë nga stoli, nuk po i jepet kurrë besimi për të treguar vlerat e tij.
Sipas asaj që raportojnë mediat në Azerbajxhan, Redon Xhixha i ka kërkuar Qarabag që të largohet në merkaton e dimrit në formën e huazimit. Për të ka intere nga Polonia, Greqia dhe Turqia. Është vërtet interesante arsyeja e largimit, teksa mediat azere tregojnë se Xhixha kërkon ftesën e Shqipërisë për Europianin në Gjermani dhe e di mirë se nëse vazhdon kështu, e ka të pamundur që të tërheq vëmendjen e Silvinjos.
Për këtë arsye Xhixha ka kërkuar të largohet, por trajneri i Qarabag, Gurbanov, nuk e lejon. Ai ia ka bërë të qartë ish-futbollistit të Tiranës se duhet të vazhdojë të punojë dhe të largojë mendimet e këqija, pasi sipas trajnerit, shmangia e konkurrencës te Qarabag nuk është një zgjidhje e problemit për Xhixhën. /Sport Ekspres/